“10 leksione në 10 vjet sipërmarrje” nga Eva Çota

“10 leksione në 10 vjet sipërmarrje” nga Eva Çota

10 vjet një sipërmarrje është një kohë e mjaftueshme për të nxjerrë disa leksione me vlerë. Themeluesja e AEL ndan me ju 10 leksionet e saj më të çmuara.

Mësimi 1: Kujdesi ndaj klientit është i panegociueshëm

Klientët janë burimi më i çmuar dhe motorri i sipërmarrjes. Sigurohuni të ofroni një përvojë të shkëlqyer për ta, dëgjojini me kujdes, kuptoni nevojat e tyre, jini të hapur dhe merreni çdo kritikë si mësim për tu përmirësuar. E fundit por jo më pak e rëndësishmja, ofrojini klientëve më shumë nga sa presin, kur kjo është e mundur.

Mësimi 2: Ndyshimi është i vështirë por i domosdoshëm

Teoria e evolucionit na mëson se speciet që iu përshtatën ndryshimeve, arritën të mbijetonin. E njëjta teori aplikohet edhe në sipërmarrje. Ajo është një fushë e ndryshueshme. Në kohë të caktuara, disa ndryshime janë më të shpejta se të tjerat. Ndërtoni një kulturë fleksibiliteti dhe adaptimi për të mos humbur mundësitë që sjellin ndryshimet në treg.

Mësimi 3: Çdo dështim është mësim, çdo problem është një mundësi! (e huazuar)

Kushdo që e mendon sipërmarrjen si fushë me lule, sapo ka bërë gabimin e parë. Rrugëtimi i sipërmarrjes  nuk ka kuptim pa ulje-ngritje të cilat jo vetëm të mësojnë por edhe të rrisin. Jini mendjehapur dhe të gatshëm për të kthyer dështimet në mësime, të përmirësoheni e të ringriheni më të fortë. Çdo problem dhe vështirësi është një mundësi për të krijuar një këndvështrim të ri të një situate. Shfrytëzojeni mençurisht!

Mësimi 4: Ndërtoni markën dhe prezencën tuaj në mediat sociale:

Mediat sociale janë një mjet i fuqishëm për të krijuar një markë, reputacionin e saj, si dhe për të  ndërtuar dhe mbajtur marrëdhëniet me audiencën dhe klientët tuaj. Çdo para që shkon në këtë drejtim nuk është shpenzim por investim.

Sigurohuni që faqja e biznesit të jetë sa më profesionale, pa e përzier me postime personale. Nga ana tjetër nëse po kërkoni të ndërtoni edhe një brand personal, vendosni me kujdes strategjinë që do ndiqni e ku do fokusoheni me qëllim që të merrni rezultatet që dëshironi, e jo të anasjelltën.

Mësimi 5: Të ardhurat e biznesit nuk janë të ardhura personale.

Të ardhurat e para janë fruti i parë i punës suaj dhe është tunduese të mos fusësh duart në arkë. Mirëpo menaxhimi i mirë i financave është thelbësor për qëndrueshmërinë e një biznesi. Mbani  kontroll rigoroz dhe të vazhdueshëm mbi buxhetin, investimet dhe rrjedhën e kasës.

Mësimi 6: Ngritja e një kulture ekipi të fortë

Ekipi është shpirti dhe thelbi i çdo sipërmarrjeje të suksesshme. Zgjidhni një ekip që rezonon me vlerat, misionin dhe vizionin e sipërmarrjes suaj. Një kulturë pozitive, bashkëpunuese e mbështetëse garanton qëndrueshmëri dhe rezultate më të kënaqshme në punë

Mësimi 7: Edukimi i vazhdueshëm është çelësi i rritjes personale dhe profesionale

Ndryshimet teknologjike dhe të tregut kërkojnë përshtatje të vazhdueshme. Investoni në zhvillimin e aftësive tuaja dhe të ekipit tuaj për të qëndruar në krye. Ky investim do të kthehet në asetin më të çmuar të kompanisë suaj.

Mësimi 8: Përqafoni inovacionin

Inovacioni është çelësi i qëndrueshmërisë në një mjedis të ndryshueshëm. Nxituni të eksperimentoni me ide të reja dhe teknologji inovative për të përmirësuar produktet dhe shërbimet tuaja. Kjo do ju mundësojë të jeni një hap përpara konkurentit e një hap më pranë klientëve.

Mësimi 9: Bëni analizë të tregut dhe konkurrencës

“Nuk kam konkurencë” është fjalia më absurde që mund të thoni, sado pionerë dhe inovator të jeni në treg. Lexoni, studioni, vëzhgoni! Rrini të informuar mbi ndryshimet në treg dhe monitoroni aktivitetet e konkurrentëve. Analizat e rregullta do t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë nevojat e klientëve tuaj dhe të përshtatni strategjinë tuaj.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja;

Mësimi 10: Networking (rrjetëzimi) është kritik dhe i domosdoshëm

Si sipërmarrës, ne nuk mund të funksionojmë vetëm. Krijimi dhe forcimi i një rrjeti të fortë njerëzish mund të hapë dyert për mundësi, partneritete dhe bashkëpunime të reja. Ndiqni evente të ndryshme, bëhuni pjesë e organizatave profesionale dhe ndërtoni marrëdhënie me sipërmarrës e profesionistë të tjerë.

Nëse ju pëlqen ky artikull, mund ta shpërndani. 

No Comments

Post A Comment