01 Aug Rrugëtim i ri! AEL blen kopshtin & çerdhen “Miqtë e Borëbardhës” në Astir
Prezantimi i plotë
Të dashur miq dhe dashamirës të kopshtit “Miqtë e Borëbardhës”,
Ashtu siç jeni vënë në dijeni para pak ditësh nga mësuese Elvira, për arsye familjare dhe personale ajo ka vendosur të tërhiqet nga drejtimi i kopshtit. Vendimi i saj fillestar ishte për ta mbyllur kopshtin.
Ndjesia e parë pas ketij lajmi ishte trishtim, dhe besoj nuk jam e vetmja që e përjetova kështu. Komuniteti ynë nuk mundet thjesht të humbë një tempull dijeje të ngritur me aq shumë punë dhe pasion, nga Elvira dhe stafi i saj i mrekullueshëm.
Mendimi i menjëhershëm pasi lexova ato rrjeshta ishte ta ndaloja Elvirën të merrte këtë vendim. Kushdo që ka punuar me mua ndër vite e di se e kam patur ëndërr të hapja kopësht dhe të punoja me fëmijët që në fëmijërinë e hershme, për të patur mundësinë të kontribuoj që në themelet e shoqërisë për të ndërtuar një komunitet më të mirë.
Ngjarjet pasuan njëra tjetrën shumë shpejt. Brenda 5 ditësh gjithçka mori rrjedhë ndryshe nga çfarë ishte parashikuar dhe së bashku me Elvirën vendosëm që kopshti jo vetëm që nuk do të mbyllet por do të vazhdojë të çojë përpara misionin e nisur që para 12 vitesh, duke i shtuar shumë risi portofolit të shërbimeve.
Nga dita e sotme, me bekimin dhe mbështetjen e mësuese Elvirës, drejtimi dhe pronësina e kopshtit kalon tek unë ish-mësuesja e anglishtes prej vitit 2022, Eva Çota.
Po kush jam unë dhe cili është profili i im profesional dhe personal?
Unë kam lindun ne Librazhd në vitin 1989. Familja ime u zhvendos në Tiranë në vitin 2002. Kam përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Dega Mësuesi, nga viti 2007-2012. Më vonë, në vitin 2017-2019 ndoqa studimet Master në Universitetin Polis në degën Marketing dhe Strategji. Në vitin 2022-2023, pasi konkurova, fitova MIP Program të financuar nga AADF dhe ndoqa një program shkëmbimi profesional në fushën e studimit të tregut (Market Research) në kompaninë Human8 me seli kryesore në Michigan, SHBA. Më pas, po në vitin 2023, ndoqa një program Edukimi Ekzekutiv në fushën e Lidershipit dhe Strategjisë në Universtitetin e Harvard-it në Boston, MA, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, program sërish i financuar nga Fondi Shqiparo-Amerikan i Zhvillimit.
Tashmë numëroj 15 vite përvojë në arsim dhe mësimdhënie pasi viti 2009 shënoi hapat e mi të parë në këtë fushë. Prej vitit 2013 jam themeluese dhe drejtuese e Academy of European Languages (@ael.albania), qendër e gjuhëve të huaja për fëmijë, e njohur ndër vite për punën me fëmijët në përvetësimin e gjuhëve të huaja si dhe në angazhimin e tyre në veprimtari të panumërta jashtë klase, veprimtari këto të karakterit edukativ dhe argëtues duke sjellë kështu një frymë dhe qasje të re në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve e cila më vonë u ndoq edhe nga shumë institucione të reja në zonë. Prej 2 vitesh drejtoj programin Peter Pan Kids Travel i cili ju mundëson fëmijëve të moshës 5-15 vjeç udhëtime dhe aventura të ndryshme në natyrë.
Përpos pasionit për punën me fëmijët, dashuroj sportin në shumë prej disiplinave të tij si vrapi, crossfit, çiklizmi, tenisi, hiking, etj. Kam marrë shpesh pjesë në aktivitete të ndryshme sportive, dhe në maj të këtij viti rrëmbeva trofeun e kampiones në vendit të tretë në Triathonën e Vlorës në kategorinë e femrave (disiplina not, çiklizëm, vrap). Ndër pasionet e mia, vend shumë të rëndësishëm zënë motorri dhe udhëtimet.
Në këtë rrugëtim të ri por jo të panjohur, synoj të coj përpara misionin ambicioz të nisur 12 vite më parë, në 1 shtator 2012 nga Elvira, për të ofruar arsim cilësor për fëmijët tuaj, tashmë duke e ndërthurur me elementë të rinj dhe plotësues.
Programi mësimor i këtij viti shkollor 2024-2025 do të vijë me plot të reja në përmbajtje. Ndër to përmendim futjen e gjuhës angleze që në moshën 3 vjeç, lënda e artit pamor me program tërësisht të ri, sport ose balet sipas prirjes së fëmijës dhe vendimit të prindërve, si dhe veprimtari jashtë kopshtit minimalisht një herë në muaj. Përpos programit mësimor standart që do të ketë ndryshime të vogla, do të ketë risi edhe në menaxhimin e kohës pas mësimit për fëmijët me fjetje në kopsht duke ju mundësuar shfrytëzim më cilësor dhe më të kënaqshëm të kohës në institucion.
Në këtë fazë tranzicioni, pyetja kryesore e prindërve lidhet me stafin, nëse do të ndryshojë apo jo.
Përgjigja është JO. Asnjëra nga mësueset e stafit nuk do të ndryshojnë, as nëna Xhexho. E gjithë skuadra do vazhdojë të jetë e bashkuar dhe me një qëllim, t’ju shërbejnë sa më mirë dhe plot dashuri fëmijëve tuaj.
A do ndryshojë emri i kopshtit?
JO! Emri i kopshtit do mbetet i pandryshuar për një periudhë të pacaktuar. Miqtë e Borëbardhës do vazhdojnë të mblidhen dhe të rriten në të njëjtën vatër dashurie.
Çfarë tjetër do të jetë e re?
Në programin e ri të kopshtit përfshihen trajnime për stafin për teknikat më të fundit të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës si dhe programe trajnimi PA PAGESË për prindërit me eskpertë të fushës për tematika të lidhura me fëmijët dhe prindërimin.
Një tjetër ndryshim lidhet me qëndrimin e kopshtit hapur gjatë muajit gusht. Duke nisur nga viti i ardhshëm, kopshti do jetë i hapur çdo muaj të vitit, përfshirë muajin gusht. Për më shumë detaje teknike, prindërit do të pajisen me kontratën e bashkëpunimit ku do jenë të cilësuara të gjitha pika e lartpërmenduar.
Kur hapet kopshti?
Regjistrimet janë të hapura duke nisur nga sot dhe kopshti rifillon punën në datën 1 Shtator 2024. Përpara nisjes zyrtare të mësimit, do të ketë disa ditë të hapura gjatë muajit gusht në të cilat prindërit do të njihen nga afër me drejtuesen dhe me programin e ri.
Për çdo pyetje, mund të na kontaktoni në çdo kohë në të gjitha format tona të komunikimit, DM, celular ose të kërkoni një takim.
Ju faleminderit dhe ju mirëpresim si gjithmonë me shumë dashuri.
Eva, Elvira & Stafi i kopshtit
No Comments