19 Dec “Mendjeartët 2020”: Eva Çota, sipërmarrëse e AEL nderohet me çmimin “Mendjearti Social 2020”
Një nga eventet më të rëndësishme të jetës ekonomike në vend,”Mendjeartët 2020”, çeli siparin dje në një mbrëmje gala me profesionistë të talentuar në sipërmarrje, të cilët përfaqësojnë heronjtë e vërtetë të inisiativave në tregun e shërbimeve dhe prodhimit në vend. Në një kohë pa kohë, kur vendi përballet me sfidën e inovacionit, teknologjisë dhe risive të konkurueshmërisë, këta sipërmarrës të rinj janë heronj. Eventi u organizuar nën patronazhin e Zonjës Elizabeta Katiaj, njëherësh edhe Kryetare e Unionit të Sipërmarrësve të Rinj.
Gjatë ceremonisë u shpërndanë edhe çmime për motivimin e sipërmarrësve të rinj.
Çmimi “Mendjearti Social 2020” u fitua nga Eva Çota, e cila është themeluse dhe drejtuese e Academy of European Languages(AEL). AEL është qendër e gjuhëve të huaja për fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, e bazuar në Tiranë, e cila dallohet për punën e jashtëzakonshme me fëmijët, duke nisur nga mosha 4 vjeç. Eva ka interes të veçantë për fëmijët, edukimin, fuqizimin e gruas dhe është e apasionuar pas të mësuarit dhe zhvillimit personal. Ajo është entuziaste, i pëlqejnë udhëtimet, sportet, të lexuarit dhe adhuron gjërat e thjeshta të bukura në jetë.
Në një intervistë për Apel.al Eva Çota ka zbuluar më shumë rreth sipërmarrjes së saj dhe motivimit për të qenë një grua në biznes.
Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur në hapat e para të krijimit të biznesit dhe a ka qenë e lehtë?
Unë e kam nisur biznesin në moshën 23 vjeçare. Si një e re në biznes, çdo ditë e re ishte sfidë. Sfida e parë dhe që na shoqëroi gjatë ishte sigurimi i financave për të nisur aktivitetin. Ne ishim dy kolege kur vendosëm të hapim akademinë dhe gjithcka ka filluar me një vlerë modeste prej 48.000 lekësh të cilat ishin kursimet e të dyjave bashkë. Është vlerë totalisht e papërfillshme nëse llogarit të hapësh një biznes me të, por historia jonë kështu fillon. Mirëpo tre muaj pasi kishim filluar aktivitetin, kolegia vendosi të heqë dorë për shkak se prioritetet e saj ndryshuan. Ky ishte një moment shumë delikat, por edhe domethënës e sfidues për mua i cili do të vendoste përgjithmonë të ardhmen e AEL, do të mbyllej apo do të ecte përpara më e fortë?!
Shpeshherë jam gjendur në udhëkryq duke pyetur veten “po tani”? E vërteta është se të hequrit dorë nuk ka qenë asnjëherë në opsionet e mundshme për të zgjidhur problemet që lindnin. Kur përmendim “sfidën”, në mënyrë të pandërgjegjshme e lidhim vetëm me pengesa e vështirësi. Po të ndryshojmë mendësi, mund ta shohim edhe si ushtrim për kapacitetin tonë për t’ja dalë. Fakti që ja kemi dalë dhe pas kaq vitesh flasim me krenari për arritjet tona, do të thotë se sfidat i kemi marrë si mësime dhe kemi marrë më të mirën prej tyre.
Si iu lindi ideja për të hapur Akademinë e Gjuhëve të Huaja “AEL”?
Academy of European Languages erdhi në jetë nga pasioni për mësimdhënien dhe dëshira për të qenë e pavarur ne eksplorimin e teknikave inovatore për ta kthyer mësimdhënien në një përvojë të paharrueshme për fëmijët, si dhe për të qenë e pavarur si individ.
Çfarë e veçon këtë akademi nga të tjerat?
AEL bën një ndërthurje të programeve edukative me praktikën dhe argëtimin. Në terma të tjera, në AEL realizohet “experiential learning” dhe i përqaset modeleve nordike të edukimit. “Experiential learning” ose të mësuarit nëpërmjet praktikës (të mësuarit duke bërë) që të quhet i tillë duhet të përmbajë disa elemente si: reflektim, analizë kritike, mundësi për nxënësit për të ndërmarrë iniciativa dhe vendime, mundësi të mësuari nga gabimet, dështimet dhe sukseset. Programet mësimore në AEL fillojnë me grupmoshën 4 vjec duke synuar të edukojmë fëmijët që në moshë të hershme më këtë metodologji praktike e cila sjell së bashku edukimin, praktikën dhe argëtimin..
Kush ka qenë mbështetësi juaj më i madh gjatë hapjes së biznesit?
Mbështetësi i parë më i madh ka qenë besimi i verbër në ëndrrën time dhe vendosmëria për të mos hequr dorë pavarësisht vështirësive. Më pas, familja dhe miqtë sigurisht. Ndihma më e madhe e miqve ka qenë në shpërndarjen dhe promovimin e akademisë në rrjetet sociale e cila ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e vizibilitetit.
Cili është çelësi i suksesit për ju?
Çelësi i suksesit është komunikimi, në cdo dimension të tij; komunikimi me klientët, me partnerët në biznes ndër vite, më miqtë dhe mbështetësit tanë. Në gjykimin tim, komunikimi është çelësi i çdo suksesi.
A keni një model që e ndiqni në rrugën e biznesit?
Në ciklin e gjatë të eduikimit tim kam njohur mjaft personalitete të cilat më kanë frymëzuar, ndërsa nën fuzhën e biznesit do të veçoja Z. Gazmend Haxhia, themelues dhe drejtues i disa kompanive që veprojnë në Shqipëri e në ballkan (Opel, Landëays, Avis Budget, etj). Z.Haxhia ia ka nizur nga minus (as zero jo) dhe sot kompanitë që ai drejton janë lider në fushën ku operojnë.
Cilat kanë qenë avantazhet dhe disavantazhet e të qenurit një femër në biznes?
Avantazhi kryesor i të qenurit në biznes është intuita e pagabueshme, dhe të paturit e cilësive si durimi dhe vendosmëria. Tek femrat këto janë më të natyrshme sesa tek meshkujt.
Disavantazhin do ta lidhja me nevojën që shoqëria ka që femra të jetë kudo, të jetë ajo që ka rolin kryesor për kujdesjen dhe mbarëvajtjen e fëmijëve familjes dhe karrierës njëkohësisht. Këto janë të dyja angazhime me kohë të plotë dhe sado ambicioze të jemi, më shumë sesa të synojmë majat për të dyja, duhet të jemi të kujdesshme të vendosim balancën.
Cili është suporti që do të kishin nevojë në ditët e sotme nga qeveria?
Mbështetja kryesore do të konsistonte në kontrollin dhe sigurimin e një konkurence të ndershme në treg. Më pas krijimi i mundësive promovuese të sipërmarrësve të rinj do të ishte shumë domëthënës gjithashtu.
Ku e shihni biznesin tuaj pas 10 vitesh?
Pas 10 vitesh AEL e shoh me disa filiale në qytete të shqipërisë si dhe përtej kufijve të si “Franchise”. Në planet tona afat-gjata është edhe hapja e një shkolle të mirëfilltë dedikuar gjuhëve të huaja, me standarte të larta.
Çfarë këshille keni për gratë që duan të ndjekin hapat tuaja?
Shpeshherë në vendin tonë kemi rastisur të dëgjojmë histori me protagoniste femrat të cilat dëshmojnë diskriminim, dhe disavantazhim për shkak të faktit se jami “gjinia më e dobët”. Shumë prej tyre janë të vërteta por s’duhet të shërbejnë si stereotipe. Unë nuk e kam pozicionuar asnjëherë veten si të disavantazhuar sepse jam femër dhe si rrjedhojë as nuk e kam përjetuar këtë si një pengesë për të ecur përpara. Mendoj se nuk ka hapësirë të “viktimizohemi” se jemi femra e të shtrijmë dorën për t’ja dalë. Edukimi i mirë dhe i vazhdueshëm, karakter i fortë dhe vizion i qartë janë tre shtyllat kryesore mbi të do të këshilloja këdo të mbështetej.
Ju fituat çmimin “Mendjearti Social”, cili është kontributi juaj më i madh për shoqërinë shqiptare dhe si do t’i këshillonit të rinjtë që të arrinin suksesin tuaj?
“Mendjearti Social 2020” më shumë se çmim është një status që ne tashmë këmi privilegjin ta gëzojmë. Për AEL do të thotë edukimi i brezave të me përgjegjësi më të lartë sociale dhe iniciativa aktivizmi social.
Në mbyllje të kësaj interviste do doja të citoja një shprehje të Nelson Mandela “Edukimi është arma më e fuqishme të cilën mund ta përdorim për të ndryshuar botën” . Mesazhi që do doja t’ju përcillja të rinjve është të mos rreshtin kurrë së investuari në edukimin e tyre, në cdo moment të jetës duke krijuar kështu një kapital të vyer për veten. Suksesi nuk është një destinacion, por një rrugë shumë e gjatë dështimesh, mësimesh dhe ringritjesh. Përqafojeni atë./Apel.al
No Comments