“Vetëvlerësimi te adoleshentët” – artikull nga Sociologe Ana Rusta

adoleshentet, vetevleresimi

“Vetëvlerësimi te adoleshentët” – artikull nga Sociologe Ana Rusta

Meriton një vëmendje të veçantë trajtimi i vetëvlerësimit në adoleshencë, jo vetëm parë në planin psikologjik e shoqëror, por po aq edhe për arritjen e kompetencave mësimore. Adoleshenca është konsideruar një periudhë e ndërmjetme midis të qenit ende pak fëmijë dhe një hap larg të qënit i rritur, ndaj mënyra se si përballen me dilemat e sfidat moshore kërkon një kujdes për mbështetje, orientim dhe këshillim.

Formësimi i tipareve të identitetit në këtë periudhë nën ndikimin e agjentëve socializues formëson qendrime, pritshmëri, bindje të cilat strukturohen nën premise vetjake dhe të rrethanshmërisë së secilit e ndikojnë në vetëvlerësimin e adoleshentëve. Ky socializim që vjen në shumë drejtime priret të ballafaqojë një dinamikë edhe kundërthënëse e cila vendos përballë standarden, qasjen prindërore, me dukuritë e reja që vijnë nga një kontekst bashkëmoshatar. Përballë formateve që përqëndrojnë fokusin ndaj të qenit brenda stilit adoleshentesk, të nxitur nga ajo që prezantohet në rrjetet sociale, vihet re se etaloni matës tashmë është përcaktuar dhe është një sfidë për t’u arritur.

Një ndër problematikat e evidentuara edhe nga studimet në këtë drejtim është se mediat sociale kanë ndikuar negativisht në vetëvlerësimin e adoleshentëve. Kjo situatë shfaq një ndarje gjinore me përballje problematike më shumë për vajzat. Një studim i Education Policy Institute and The Prince’s Trust i publikuar në 27 janar të këtij viti nënvizoi se mediat sociale kanë një efekt negative kryesisht në mirëqënien e vajzave adoleshente, të cilat përjetojnë një pakënaqësi lidhur me pamjen. Bazuar në këto të dhëna, studiuesit vlerësojnë se situata e pandemisë ka përkeqësuar raportet, duke pasqyruar se 1 në 6 adoleshentë ka problem të shëndetit mendor.

Ky raport trajton efektet negative të ekspozimit gjatë në rrjetet sociale, të tilla si mbipesha që vjen si mungesë e aktivitetit fizik dhe shoqërohet me vetëvlerësim të ulët dhe shqetësime psikologjike. Ndërveprimi virtual ka cënuar aftësitë ndërvepruese në prani fizike. Të dhënat gjetën se adoleshentët deklaroheshin më të sigurt në vetvete kur komunikonin virtualisht. Bota virtuale u krijon hapësirë për të ndërtuar një imazh të jetës perfekte, duke qënë përzgjedhës të asaj se çfarë duan të ndajnë me të tjerët. Në këtë mënyrë përvijohet një dyzim mes reales dhe virtuales e cila brendësohet ndër adoleshentët, e për të dominuar më shumë një realitet vetëkrijues virtual të profilit mes filtrash e modifikimesh, qëndrojnë përpara ekranit e shtyjnë sa më gjatë kthimin nëndërveprim të pranisë fizike. Intensifikimi i përdorimit të rrjetet sociale prezanton dinamika specifike të marrëdhënieve të cilat shpesh duket të jenë sipërfaqësore, në disa raste të ndryshme nga ballafaqimet përballë dhe mund të konsiderohen heraherës si një paradhomë drejt vetmisë.

Një rëndësi të madhe merr diskutimi mbi vetëvlerësimin pasi ndikon edhe në performance mësimore. Perceptimi i ulët që nxënësit kanë për veten përbën një faktor që nuk mundëson progresin. Reagimet inkurajuese të përdorura përgjatë procesit mësimor në mënyrë të ekuilibruar krijojnë një mjedis më favorizues. Konteksti social është një parakusht për formësimin dhe përforcimin e disa qendrimeve lidhur me veten. Sociologu amerikan Çarls Kuli etiketoi teorinë e tij “vështrimi i vetes përmes qelqit” në të cilën përpos të tjerash përcakton se si ne qeniet njerëzore kemi aftësinë të imagjinojmë si u dukemi të tjerëve, të interpretojmë reagimet e tyre ndaj nesh dhe mbi këto premise të krijojmë një koncept për veten.

Konstrukti social bën që të jemi përmbushës të pritshmërive lidhur me rolin që kemi apo atë se çfarë të tjerët etiketojnë. Eksperimenti i Xhejn Eliot, një klasë e ndarë, i realizuar në 1968 dhe i përsëritur me të njëjtat rezultate, na tregon se si motivimi apo mungesa e tij ndikojnë në perceptimin për veten dhe në arritjet në shkollë. Bazuar në të dhënat teorike e po aq empirike deduktojnë një korelacion midis konceptit për veten dhe arritjeve të nxënësve. Sa më vetëbesues që janë, aq më shumë tentojnë të kenë guximin të bëjnë realitet çka besojnë për veten. Angazhimet jashtëshkollore, aktivitete ekstrakurrikulare, përfshirja në klube që përmbushin interesat e tyre ndihmojnë në rritjen e vetëbesimit dhe një performancë më të mirë. Vetëvlerësimi është një process dinamik e shumëdimensional që ndërtohet përgjatë gjithë jetës.Sigurisht që faktori i  brendshëm është një variabël për t’u marrë në konsideratë, megjithatë në rolin edukues mund të japim një kontribut të çmuar për të ndikuar në një mjedis shoqëror inkurajues dhe përçues të vlerave, inkurajimit të një qëndrimi kritik dhe krijues mbi dukuritë sociale që prezantohen.

Shkarko edhe: Per prinderit-vetevleresimi i femijeve

No Comments

Post A Comment