11 May Fëmijët dhe rrjetet sociale, jeta larg celularit. (shkrim nga Evisa Sulejmani – Punonjëse Sociale)
Fëmijët dhe rrjetet sociale, jeta larg celularit.
Nuk është vetëm së fundmi që kam vënë re një përdorim të shtuar nga ana e fëmijëve të celularit apo telefonave ‘’smart’’ dhe rrjeteve sociale nëpërmjet tyre.
Nisur nga puna si punonjëse sociale me fëmijë dhe adoleshentë, gjithashtu dhe nga qëndrimi më personal në rol prindëror përpara mbesës sime, u shtyva të hulumotja më tej rreth shpeshtësisë dhe përhapjes së përdorimit të celularit dhe rrjeteve sociale nga kjo grupmoshë e mitur.
Studimi i SellCell ishte më goditësi.
Si kushdo i angazhuar në rolet e tij në shoqëri, e kisha perceptuar përdorimin e shtuar deri në abuzim të këtyre pajisjeve dhe të botës virtuale që ato përcjellin, por SellCell e sjell situatën të përkthyer në shifra të zhveshura dhe tronditëse.
SellCell ka vendosur t’i përgjigjet disa prej pyetjeve kryesore rreth asaj se si fëmijët përdorin telefonat celularë.
– Ata kanë hulumtuar mbi situatat ku prindërit zakonisht u blejnë fëmijëve telefonin celular të parë dhe arsyet pas këtij veprimi.
– Falë kësaj, kanë arritur të zbulojnë se sa kohë në javë kalojnë mesatarisht fëmijët të lidhur pas celularit dhe nëse prindërit kontrollojnë aktivitetin e tyre në këto pajisje.
– Gjithashtu, SellCell ka zbuluar se çfarë bëjnë fëmijët në celularët e tyre dhe përshtatshmërinë me moshën.
– A po monitorojnë prindërit nga afër përdorimin e celularëve nga fëmijët e tyre dhe të rrjeteve sociale nëpërmjet tij?
Ja disa nga depërtimet e zbuluara më poshtë:
SellCell anketoi 1135 prindër në SHBA me fëmijë mes moshës 4 dhe 14 vjeç.
Sondazhi në fjalë është kryer në Korrik, 2019. (Shikoni më poshtë për më shumë informacion në lidhje me të dhënat dhe metodologjinë)
– A po bëhen fëmijët të varur nga celularët?
42% e fëmijëve po kalojnë 30+ orë në javë në celularët e tyre.
– A janë telefonat ‘Koha e kënaqësisë së fajshme’ për prindërit?
4 në 10 prindër i lejojnë fëmijët e tyre të përdorin telefona në mënyrë që të mund të ‘Gëzojnë paqe e qetësi’.
– 40% e prindërve e pranojnë që i lejojnë fëmijët e tyre të përdorin celularë për t’i lejuar vetes pak pushim.
– 57% e fëmijëve kryesisht përdorin telefonin e tyre për lojëra.
– Gati 70% e prindërve mendojnë se përdorimi i telefonëve celularë ka një efekt pozitiv në zhvillimin e fëmijës së tyre (68%)
– 28% e fëmijëve përdorin së pari një celular në moshën 4 vjeç ose më pak
– 12% e fëmijëve përdorin së pari një telefon midis moshës 1-2 vjeç
– 14% e fëmijëve nuk përdornin celular deri sa të ishin adoleshentë (13-16%)
Sa i takon fëmijëve e të rinjve, nisur nga këto gjetje, mund të nxjerrim disa parashikime që duket se paraprijnë metamorfozën e frikshme të brezit më të ri:
A është ky një komb i teknikëve të vegjël?
Po Shqipëria, a është po aq një vend i tillë?
A jemi duke zhvilluar një komb të ‘Toddler Techies’ apo ‘Belligerent Bambinos’?
– 12% e fëmijëve përdorin së pari një telefon midis moshës 1-2 vjeç.
– 4 në 10 fëmijë amerikanë janë 6 vjeç ose më pak kur përdorin për herë të parë një celular (40%)
– 65% e fëmijëve para-adoleshentë, nën moshën 13 vjeç kanë celular të tyrin.
Prindërit janë ‘’përgjues’’ të këtyre pajisjeve.
- Gati 9 në 10 prindër e dinë kodin e telefonit të fëmijës së tyre (88%).
Sa i takon prindërve:
Kjo gjetje e fundit mbi sjelljen e prindërve përballë ketij fenomeni, a duhet të jetë diçka qetësuese që na siguron ne si punonjës socialë që situata është nën kontroll nga ana e tyre apo është një tjetër simptomë e gjendjes së ankthit dhe paranojës te prindërit?
Ky studim i SellCell më nxiti të ideoj një terapi në grup me fëmijët me të cilët punoj.
Nisur nga sjellja e tyre ndaj celularit, provuam disa ditë spastrim apo ‘’detox’’ teknologjik, duke filluar nga përdorimi me kohë të limituar të celularit dhe rrjeteve sociale brenda një dite deri edhe te shmangia e plotë e përdorimit të tyre.
Së pari u vërejt nje rezistencë e natyrshme e fëmijëve për të thyer rutinën e tyre.
Diçka e tillë është e pritshme, ndaj kisha parashikuar një seri lojërash mendore dhe aktivitetesh argëtuese për të mbushur hendekun e madh që linte zhdukja e celularit.
Kjo nxiti dhe në mënyrë të tërthortë që fëmijëve t’i rikthehej vëmendja dhe dëshira ndaj lojërave më të dashura e zhvilluese për to, që nga lojërat në grup, socializimi, dialogu, bashkëpunimi, e deri te përkushtimi më individual në një flete vizatimi.
Si përfundim, mbetet konflikti dhe zgjidhja po ashtu te rutina e re që prindërit duhet të guxojnë sa më parë t’ia prezantojnë fëmijëve të tyre, në sugjerimin tim.
Rutina kërkon pak vendosmëri në momentin e prezantimit te fëmijët dhe pritet të hasi në rezistencë e rebelim.
Është thelbësore në rolin e prindërve që të bëhen bashkë në këtë vendim të shëndetshëm për fëmijët e tyre dhe ta ndjekin prezantimin e rutinës me vijueshmëri të saj.
– Gjithashtu, do të sugjeroja dhe disa ditë më elastike, thuajse ditë ‘’pushimi’’ ndaj rregullit të ri të përdorimit të celularëve dhe rrjeteve sociale.
Kjo do të rriste reagimin pozitiv të fëmijëve, bashkëpunimin e tyre dhe reflektimin mbi mënyra të reja të kalimit të kohës.
Do të shmangte nga ana tjetër ‘’withdrawal symtomps’’ duke siguruar kështu vijimësinë e disiplinës së re dhe përfundimisht zëvendësimin e rutinës së vjetër me atë të renë dhe të shëndetshmen.
– Në terma afatgjatë, ky bashkëpunim mes prindërve dhe fëmijëve të tyre e forcon marrëdhënien e tyre dhe përcjell një model më të mirë prindërimi.
– Fëmijët zhvillojnë sjellje më empatike dhe sociale ndaj njëri-tjetrit, zgjerohet spektri i kuptueshmërisë emocionale, si ndaj vetes, ashtu dhe ndaj tjetrit dhe rritet përgjigjja emocionale e tyre.
– Fëmijët bëhen më pranues ndaj ndryshimeve, më reagues ndaj tyre duke u përshtatur me zhdërvjelltësi, rriten në kreativitet dhe bëhen më të aftë të prodhojnë zgjidhje origjinale ndaj problemeve e sfidave.
– Shmanget varësia ndaj rrjeteve sociale dhe shmanget zhvillimi i një personaliteti me prirje adiktive (varësie), mbi të gjitha.
Duke filluar që nga pozicionimi im më personal në rol prindëror para mbesës sime të vogël e deri te puna dhe misioni im si punonjëse sociale, këmbëngul se nuk ka asgjë për të humbur.
Përkundrazi, fëmijët kanë shumë për të humbur: gjithë fëmijërinë e tyre.
Sjellja jonë duhet të modelohet sa më parë për të drejtuar dhe për të ndikuar pozitivisht atë të fëmijëve tanë.
Koha e duhur për të nisur me këto ndryshime është sa më parë!
No Comments